Bashkia Klos
Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Klosi kufizohet në veri me bashkinë e Matit, në perëndim me bashkinë e Krujës, në jug-perëndim me bashkinë Tiranë, në jug-lindje me bashkinë Bulqizë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Klosit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 numëron një popullsi prej 16,618 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 20,281 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 357.48 km2 me një densitet prej 58.24 banorë/km2 sipas sipas regjistrit civil dhe 46 banorë/km2 sipas censusit.
Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Klos, Xibër, Suç, Gurrë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Mat dhe qarkut të Dibrës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 30 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie.
Profili i bashkisë
Një pjesë e mirë e sipërfaqes së kësaj bashkie është zonë fushore që përbëhet nga lugina e Matit me kullota që variojnë nga 240 metra në 600 metra mbi nivelin e detit. Klosi është dhe mbetet një nyje që lidh Dibrën me Tiranën. Lëvizjet demografike të popullsisë drejt zonave urbane, karakteristike për rajonin e Dibrës, vihen re dhe në Klos.
Kryesisht lëvizja ka pasur tendencën drejt qendrës urbane të Burrelit dhe asaj metropolitane në Tiranë e Durrës. Emigrimi është i dukshëm sidomos tek të rinjtë dhe burrat dhe remitancat janë baza kryesore e të ardhurave që vijnë për familjet. Greqia, Italia dhe Anglia janë vendet ku është përqendruar ky emigrim, ku statusi i tyre është si i gjithë emigrantëve të tjerë shqiptarë me dokumenta dhe pa dokumenta.
Degët kryesore të ekonomisë janë bujqësia, ku klima e favorshme lejon kultivimin e të gjitha bimëve e drufrutorëve, blegtoria dhe shërbimet.
Klosi është i pasur me burime të shumta natyrore, tokësore dhe nëntokësore. Pyjet dhe kullotat komunale zënë një sipërfaqe të konsiderueshme, ku përveç lëndës drusore, ka edhe mjaft bimë mjekësore.
Një tjetër burim kryesor të ardhurash për banorët e këtij rajoni përbën edhe turizmi malor dhe historik, si dhe industria e mineralit të kromit në minierat private të Cërujës.
Ndër investimet e dhëna në realizimin e projekte të mëdha në këtë zonë përmendim: Sistemim-asfaltim i bulevardit të qytetit, rrugës rurale që lidh fshatin Fullqet me qendrën e bashkisë, si dhe sistemim-asfaltimi i rrugëve që lidhin fshatrat Fullqet, Cërujë, Benjë, Lis, Gurrë dhe Kurdari me rrugën nacionale. Po kështu investime në projekte të mëdha konsiderohet edhe ai i dhënë për ndërtimet e ujësjellësve në fshatrat Bershi dhe Cërujë.