01
Rrethi i Matit është një ndër trevat me të pasura të Shqiperisë përsa i përket natyrës. Rreth 60% e sipërfaqes së rrethit të Matit është e veshur me pyje dhe kullota me moshë nga më të reja deri më shekullore e me biodiversitet të larmishëm.
Mati përmbledh një numër të lartë të pikave turistike (37 natyrore dhe 27 kulturore) me vlera të papërsëritshme humane, të cilat së bashku përbëjnë një kompozim mjaft tërheqës atraksionesh për vizitorët në tërësi dhe ata që frekuentojnë turizmin miqësor ndaj mjedisit në veçanti.
Kjo guidë bën të mundur njohjen dhe promovimin e këtyre monumenteve për funksionin e tyre natyror, ekologjik dhe biologjik dhe potencialin që kanë si atraksione natyrore për të apasionuarit e natyrës.
Ndër to përmendim: Guri i Gjatë (Urxall); Kepi i Skënderbeut (Varosh); Puset e Vilzës (Macukull); Maja e Boshtrës (Macukull); Kanioni i Flimit( Komuna Derjan). Gjeomorfologjia e këtij rajoni pasqyron historinë dinamike gjeologjike, lëvizjet tektonike dhe veprimtarinë erozive të lumenjve. Lartësia e relievit është kryesisht kodrinoro-malore, ndërsa gjejmë të pranishëm një shumëllojshmëri shkëmbinjsh interesantë të krijuar nga veprimtaria e lumenjve.
Në kontaktin ndërmjet shkëmbinjve gëlqerorë e terrigjen janë krijuar burime ujorë karstik të rëndësishëm me statusin hidromonumente si: Kroi i Gjeneralit (Gurë Bardhë), Burimi i Shutrresë ( fshati Laç), etj. Rrethi i Matit bën pjesë në zonën klimatike mesdhetare kodrinore e malore, duke favorizuar praninë në këtë territor të një flore e faune të pasur.
Evidentohen rreth 1600 lloje bimësh. Flora e rrethit të Matit është e pasur dhe me bimë endemike dhe medicinale ku dallohen rreth 150 lloje të tilla si aguriçja, mëllaga, lisra, hithra etj.
Disa lloje të florës së rrethit kanë dhe statusin e biomonumentit si: Rrapi i Çelës (Patin); Lisat e Bërshinit; Vidhi i Qafë Shënkollit; Gështenja e Kalit(Gurë i Bardhë); Tisat e Mbasdejës etj. Kjo pasuri e madhe floristike e rrethit ka rëndësi ekonomike, ekologjike e turistike për Matin. Pjesë e biodiversitetit janë dy parqet kombëtare të rëndësishëm nga 14 që gëzojnë këtë status në Shqipëri, Qafë Shtama e Zall Gjoçaj.
.