
Lumi Mat

Në basenin ujor të Matit bëjnë pjesë lumenjtë e Matit, Fanit me dy degët e tij Fani i Madh e Fani i Vogël dhe lumi i Urakës. Lumi i Matit, nga i cili ka marrë emrin edhe baseni, buron nga lartesitë e Kaptinës së Martaneshit rreth 1873 m.
Ka gjatësi rreth 144 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 2441 km2 dhe lartësi të pellgut ujëmbledhës 746 m. Furnizimin kryesor e ka nga masivi ultrabazik i Bulqizës dhe nga formacioni karbonatik i Malit me Gropa, të dy lloje formacionale mjaft të pasur me ujëra shume të pastër kimikisht me mineralizim të ulët, mesatarisht 22 mg/litër.
Në sektorin nga burimet dhe përrenjtë ushqyes (Theknës, Lenës, Perpizë - Plani i Bardhë) deri në afërsi të Klosit, lumi i Matit është i ngushtë për shkak të formacioneve magmatike dhe karbonatike që përshkon.
Mandej më në veri të Klosit lumi hyn në një luginë të gjerë, dhe në veri të Burrelit e deri në Grykën e Shkopetit, ai njësohet me liqenin e Ulzës dhe atë të Shkopetit, dy liqene artificiale që furnizojnë hidrocentralet e ndërtuar në vitin 1960. Rrjedhja e sipërme fillon në kuotën 746 m dhe përfundon në kuotën 254 m. Rrjedhja e mesme fillon nga kuota 254 m deri në kuotën 38 m që përkon me kuotën e luginës ku derdhet uji i Hidrocentralit të Shkopetit. Rrjedhja e poshtme e tij fillon poshtë digës së Hidrocentralit të Shkopetit me kuotë 38 m.
Pas 4.2 km lumi i Matit bashkohet me lumin e Fanit në kuotën 25 m (nga niveli i detit), 8 - 9 km më poshtë, në Urën e Zogut, kuota e tij është 25 m, dhe në Urën e Milotit 8 m. Mbas gjarpërimeve të shumëllojshme derdhet në detin Adriatik, pranë fshatit Fushë Kuqe, në perëndim, jug- perëndim të tij dhe në veri të kënetës së Patokut.
Përgjithësisht, baseni i lumenjëve Mat – Fan karakterizohet si një basen malor i thyer me gryka e lugina të thella. Vetëm pas bashkimit të këtyre dy lumenjve në Skuraj, lumi i Matit fillon të hapet e të zgjerohet duke arritur gjerësinë e shpatit të tij në 484 m. Për të arritur në gjendjen e sotme ai ka kaluar disa cikle erozive, të cilat shprehen në tarracat e tij.
![]() | ![]() | ![]() | ![]() |
---|---|---|---|
![]() | ![]() | ![]() | ![]() |
![]() | ![]() | ![]() | ![]() |
![]() | ![]() | ![]() | ![]() |
![]() |
02