top of page
Featured Posts

Urat e ngurta

  • Zamira Kajaci
  • Mar 12, 2016
  • 3 min read

Krahina e Matit gjendet në masivin qendror, midis vargmaleve Skënderbeg dhe Dejë-Balgaj duke u ndërlidhur me bregdetin, fushat bregdetare dhe krahinat në shpinë të saj nëpërmjet qafave të maleve. Këto qafa janë: në perëndim Qafë Murriza e Qafë Shtama dhe në lindje Qafë Bualli e Qafë Murra. Në veri rruga depërtonte nëpërmjet grykës së Matit, aty ku bashkohet lumi i Matit me Fandin, duke pasur si pikë kalimi Kulmen e Dervenit. Në jug rruga nisej nga Tirana, pasi kalonte Shkallën e Tujanit, futej në portën e parë të Matit, në Qafë Murrize, zbriste poshtë në Xibër e aty degëzohej në dy arterie nga të cilat njëra zbriste përbri kalasë ilire të Xibrit në Qafë-Shkallè për në Dars dhe Mat, kurse tjetra nga Xibri për në Gur të Bardhë, Urën e Vashës mbi Mat, Klos, Plan i Bardhë e nëpër Qafë-Buall në Dibër.

Porta tjetër e rëndësishme që përshkonte Matin mespërmes, ishte rruga që vinte nga Dyrrahu antikdhe që kalonte nëpër Qafë Shtamë, Urëselitëz, Frankth, Muzhakë, Qafë-Portë (Komsi), Hurdha e Kaikes mbi lumin Mat, Ura e Banjës, Burgajet, Kodra e Shpjetrit, Lis, Mali i Shën-Mërisë, Vigj, Stelush për në Dibrën e Poshtme e më tej në Kosovë. Këto rrugë i shërbenin karvaneve dhe tregjeve të Matit. Krahina e Matit, me unitet kulturor etnografik, gjeografik kishte katër tregje në secilën nga katër njësitë ku shërbenin. Urat e rrjetit rrugor që përshkonte Matin ndodhen kryesisht në rrjedhën e sipërme të lumit Mat, aty ku lumi del nga kanioni i fundit, në Klos.

Ato kanë qenë ndërtuar prej guri e prej lënde druri. Mjaft prej ture me kalimin e kohës janë rrënuar kështu që prej disave ruhen vetëm gjurmët apo emri i tyre në popull. Urat janë ndërtime të përbashkëta të popullit të një katundi, lagjeje e fisi prandaj dhe baza materiale sigurohej bashkarisht, ndërsa vlera e punës u paguhej mjeshtrave nga persona të ndryshëm. Kryesisht urat e gurta shtrihen në zonën e Krye-Mates, në fshatrat Gur i Bardhë, Klos, Dars, Bërshi, Patin dhe Gurrë e Vogël. Shtrirja e tyre ndjek gjurmët e rrugëve të karvaneve ose “Udhës së Madhe”, siç quheshin nga populli këto rrugë. Sot ruhen në këmbë dhe funksionojnë nëntë ura, kurse shtatë të tjera janë rrënuar. Midis tyre tre kanë qenë mbi lumin Mat, kurse të tjerat mbi degët e tij.

Për ndërtimin e urave fillimisht është zgjedhur vendi, aty ku kalonte rruga, me shmangie sipas terrenit. Vendi për ngritjen e urës është zgjedhur shkëmbor me brigje të larta ose të ulta, ku janë hapur dhe themelet e këmbëve të urës. Më tej është ngritur armatura, mbi të cilët janë ndërtuar qemerët e urës. Gurët, me të cilët janë ndërtuar urat janë gëlqerorë, ranorë apo shpani (çmërsi). Gurët i janë nënshtruar daltimit dhe kanë formë kuadratike të rregullt, me përmasa 50-60 cm gjatësi, 40-45 cm gjerësi, 15-20 cm trashësi. Urat e gurta në Mat u ndërtuan në përshtatje me kushtet ekonomike dhe historike të kohës. Ndërtimi i tyre u kushtëzua me lulëzimin e tregut dhe të rrugëve që rriheshin nga karvanet. Ndërlidhja krahinore Durrës, Tiranë, Mat, Dibër krijonte një arterie të fuqishme nga lëviznin mallrat dhe karvanet. Pika më nevralgjike ku kalonin këto mallra ishte KryeMatja ose Klosi i Sipërm, ku gjenden dhe urat. Të tërheq vëmendjen fakti që këto ura ndodhen pikërisht në hapsirën ndërmjet fshatrave të punishteve të barutit. Prandaj duket se dhe baruti u dha rrugëve dhe urave jetën e tyre, mbi të cilat transportohej “buka” e armëve për të mbrojtur lirinë dhe atdheun.

Koha e ndërtimit të shumicës së urave përkon me shek. XVIII dhe fillimin e shek. XIX, kur lulëzuan dy pashallëqet e mëdha shqiptare ai i Bushatllinjve të Shkodrës dhe ai i Janinës. Në se do t’i vështrojmë nga ana tipologjike dhe teknike urat e Matit kanë tipare të përbashkëta me urat e vendit tonë. Këto tipare përputhen me urat e krahinave fqinje Krujë, Librazhd, Shkodër, Tiranë etj. Ndërtimi i tyre i është përshtatur kushteve të terrenit, duke preferuar brigjet shkëmbore të cilët jo vetëm u jepnin fortësi e jetëgjatësi urave, por dhe mundësi të bëheshin sa më pak shpenzime. Për ndërtimin e tyre janë shfrytëzuar materialet rrethanore (gurë gëlqerorë, shtuforë dhe çmërsi) që gjendeshin në vendet ku janë ngritur urat.


 
 
 

Commentaires


Recent Posts
Archive
Search By Tags
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square
bottom of page